Qeveria e Përkohshme -qeveri e unitetit të popullit të Kosovës në luftën për liri
Intervistë me përfaqësuesin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, zotin Dino Asanaj
Illyria: Lufta dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi kanë hyrë në një fazë të re. Opsioni paqësor ishte i pasuksesshëm. Cilat janë linjat bazë të qeverisë Thaçi?
Z. Dino Asanaj: Lufta e popullit tonë për liri e demokraci ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare. Ndërsa bombardimi i Serbisë nga forcat ajrore të NATOs vazhdon, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kanë intensifikuar fushatën e spastrimit etnik dhe të genocidit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Mbi një milion shqiptarë janë shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, ndërsa rreth një milion të tjerë janë të zhvendosur brenda Kosovës. E ndodhur përballë një tragjedie të tillë kombëtare, dhe si qeveri e bashkimit kombëtar, Qeveria e Përkohshme e drejtuar nga kryeministri Thaçi ka në programin e saj mbrritjen e ketyre qëllimeve:
Të arrihet uniteti i të gjithë popullit të Kosovës pa dallim bindjesh politike dhe pa asnjë lloj paragjykimi tjetër. Ne jemi në një luftë në të cilën serbët nuk kanë treguar mëshirë as për familjet e kolaboracionistëve. Prandaj, bashkimi i të gjithë popullit shqiptar për shpëtimin e Kosovës është një synim kryesor i Qeverisë së Përkohshme.
Të gjitha partitë politike, shoqatat dhe organizatat shoqërore duhet t'i bashkëngjiten luftës për liri. Ne jemi një popull, i cili edhe në të shkuarën e ka treguar se di se si të qeverisë vetveten. Ata qe do te marrin votëbesimin e popullit nëpermjet zgjedhjeve te lira - do të kenë të drejtën të qeverisin Kosovën e lirë dhe demokratike. Atyre do t'íu bindemi të gjithë!
Por sot, vazhdimi i luftës së pakompromis për çlirimin e Kosovës është një linjë politike, të cilës Qeveria e Përkohshme i ka qëndruar dhe do t'i qëndrojë besnike deri në fund. Garancia më e mirë në mbrritjen e këtij qëllimi është lufta e bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një ushtri me struktura të qëndrueshme dhe me një moral shumë të lartë.
Përparësi të madhe për Qeverinë e Përkohshme ka gjithashtu kujdesi për të zhvendosurit përbrenda Kosovës, të cilët janë nën mbrojtjen e njësiteve të UÇK-së. Por jo vetem kaq, Qeveria e Përkohshme vazhdon te kujdeset për refugjatët deri në Maqedoni dhe në Shqipëri. Ne jemi munduar ta kryejmë detyrën tonë brenda kushteve tona.
Qeveria e Përkohshme do të vazhdojë të funksionojë derisa të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike në Kosovë.
Illyria: Nevoja për një qëndrim unik të shqiptarëve kërkon që të sheshohen mosmarrëveshjet. Pak fjalë mbi bazat legjitime të qeverisë së re. Përveç synimeve politike të çlirimit të Kosovës, a ka synime të tjera në platformën mbi të cilën ajo është krijuar?
Z. Dino Asanaj: Qeveria e Përkohshme është krijuar në bazë të Marrëveshjes midis përfaqësuesve të të gjitha partive politike me subjektin ushtarak të UÇK-së, perfshirë ketu: LDK-ne, LBD dhe përfaqësues të pavarur, marrëveshje që u nënshkrua në Rambouillet me 23 shkurt, 1999.
Neve na vjen shumë mirë që një delegacion i kryesisë së LDK-së, i kryesuar nga z. Naim Jerliu, nënkryetar i LDK-së, theksoi dje se legjitimiteti i Qeverisë së Përkohshme nuk është aspak në pyetje dhe se LDK-ja do të respektojë marrëveshjen e arritur në Rambouillet. Ajo që është në pyetje është sjellja e individëve të veçantë, të cilët, për arësye përsonale ose të tjera, nuk duan ta respektojnë këtë marrëveshje.
Përveç synimit për çlirimin e Kosovës, Qeveria e Përkohshme është krijuar edhe me synimet e mëposhtme:
1. Të krijojë mundësinë që Shqiptarët të flasin me një zë të përbashkët.
2. Të paraqitet populli i Kosovës në të gjitha marrëveshjet ose bisedimet e ardhshme me një Qeveri, e cila përfaqëson pjesën më të madhe të spektrit politik në Kosovë.
3. Të vihen të gjitha mjetet dhe kontributet e popullit të Kosovës të dhëna tash dhjetë vjet në shërbim të interesit të tij më të lartë - të Çlirimit të Kosovës.
4. Të vihet UÇK-ja nën kontrollin e autoritetit politik dhe civil.
5. Në kushtet e luftës, kjo Qeveri duhet të jetë aktive brenda në Kosovë, e kjo, sic e dimë te gjithe, do të thotë që ajo të veprojë nga zonat e çliruara.
Illyria: Janë përshëndetur të gjitha arritjet në punën e kryer nga Rugova dhe qeveria e tij për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Si e mendoni zgjidhjen e kalimit të detyrave qeverisë së re, pa shkaktuar kacafytje politike midis shqiptarëve, gjë që i shqetëson të gjithë, sepse i bën dëm çështjes?
Z. Dino Asanaj: Gjatë dhjetë viteve të shkuara, shqiptarët treguan se janë një popull me ndërgjegje të lartë qytetare dhe më aftësi të rralla vetëqeverisëse. Nuk ka asnjë popull në botë që të paguajë taksat vullnetarisht siç ka bërë populli i Kosovës. Por ne kemi dhënë tre përqind kontribut dhe kemi marrë tre përqind liri. Strukturat e krijuara gjatë këtyre viteve u fshinë nga faqja e dheut për një natë. Megjithatë, Qeveria e Përkohshme ka marrë të gjitha masat për rikrijimin e administratës në zonat e çliruara, në kampet e refugjatëve, në mërgim, si dhe në ëmërimin e përfaqësive politike në botën e jashtme.
Nuk ka as edhe një arësye që Shqiptarët të kenë kacafytje politike. Kur vjen puna tek ndërtimi i administratës shtetërore të Kosovës, ajo që vendos se kush do të emërohet në një post nuk janë lidhjet e bindjet politike, por aftësia e tyre profesionale dhe dedikimi ndaj çështjes së Kosovës. Megjithatë në kushtet e Luftës për Çlirim, shumë prej njerëzve më me dije kanë ndenjur mënjanë ose nuk janë aktivizuar. Qeveria e Përkohshme u bën thirrje të gjithë profesionistëve dhe njerëzve të shkolluar të dalin në skenën politike dhe t'i bashkëngjiten asaj. Kosova nuk është e një njeriu, ajo është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të japim aq sa kemi mundësi.
Illyria: Çfarë mbështetje gëzon UÇK-ja nga ana e popullit dhe e partive politike?
Z. Dino Asanaj: UÇK-ja është ushtri e popullit të Kosovës, ajo është ushtria e Kosovës dhe pa mbështetjen e popullit ajo as që do të kishte mundur të ekzistonte. Populli i Kosovës e ka kuptuar fort mirë, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e vetmja forcë, që mund t'i sjellë atij lirinë.
Mbështetja e popullit ka qënë në tre plane të ndryshme.
Së pari, populli ynë i mrekullueshëm ka dhënë një shembull të shkëlqyer patriotizmi duke nisur bijtë e vet më të mirë vullnetarë për t'iu bashkëngjitur rradhëve të UÇK-së.
Së dyti, populli ynë i ka mbështetur pa asnjë hezitim njësitet e UÇK-së në terren.
Së treti, populli ynë, dhe posaçërisht bashkësitë e Shqiptarëve në mërgim, kanë hequr kafshatën e gojës për lirinë e Kosovës. Më këtë rast dua të theksoj edhe një herë se çdo dollar ndihmë që është dhënë për fondin "Vendlindja Thërret" ka shkuar në shërbim të çështjes dhe se Qeveria e Përkohshme dhe Komanda e Përgjithshme e UÇK-së kanë marrë masa shumë të rrepta që asnjë dollar të mos shkojë dëm ose të shpërdorohet. Çdo dollar që është dhënë ndihmë është kthyer në plumb për armikun.
Dhe së fundi, mbështetja më e madhe UÇK-së i ka ardhur në planin moral. Edhe në kushtet më të vështira të masakrave dhe të genocidit serb, populli ynë e ka treguar se është një popull me shumë vlera të mëdha, dhe ky ka qënë frymëzimi më i madh për ushtarët dhe eprorët e UÇK-së. Populli ynë ka treguar se kjo është lufta për çlirim e një populli, që nuk mund përçahet as nga dallimet fetare, as nga bindjet politike, as nga ideologjitë.
Sa për mbështetjen e partive politike, ajo nuk ka munguar aspak dhe ka ecur krah për krah me përkrahjen e popullit. UÇK-ja është ushtri e jo parti politike. Në rradhët e saj luftojnë bij e bija të popullit të Kosovës që në një kohë ose në një tjetër kanë qënë aktivë në LDK, LBDSH, PPK, PDK, PSD, PLK dhe në të gjitha partitë e tjera.
Eprorët ushtarakë e kanë të ndaluar të merren me politikë. Kush dëshëron të merret më politikë duhet të largohet nga Ushtria dhe të kërkojë përkrahjen popullore vetë.
Illyria: Njerëzit e shikojnë UÇK-në me shpresë ... Na thoni diçka për efektivin e saj, për pjesëmarrjen e popullit, gjendjen fiziko-morale dhe arsenalin e saj luftarak.
Z. Dino Asanaj: Sot është bërë e qartë se UÇK-ja është e vetmja forcë që mund t'i sjellë lirinë Kosovës, e vetmja shpresë që ka populli I Kosovës që një ditë të kthehet në vatrat e veta.
Sot UÇK-ja është më e fortë se kurrë, morali i saj është shumë i lartë dhe në rritje të vazhdueshme. Kjo është ofensiva e pestë serbe që kur ka filluar lufta, dhe çdo here UÇK-ja ka dalë edhe më e fortë se më parë.
Në krye të UÇK-së janë vënë oficerë shumë të kualifikuar dhe me përvojë të madhe luftarake, si Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral-Brigade Agim Çeku, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kolonel Bislim Zyrapi. Strukturat komanduese janë shumë të stabilizuara. Edhe pse këto javët e fundit situata ushtarake ka qënë shumë e vështirë, struktuart e UÇK-së e kanë përballuar fluksin e madh të vullnetarëve dhe të rekrutëvë që i janë bashkëngjitur Ushtrisë. Gjendja morale e UÇK-së është e shkëlqyer dhe fitoret ne betejat e fundit e kanë rritur ndjeshëm besimin e popullit dhe të efektivit tek Ushtria dhe forca e saj.
Sa për armatimin, edhe pse ne nuk e kemi armatimin e kundërshtarit tonë, prapëseprapë, ushtarët tanë po arrijnë që të përdorin me shumë efikasitet armatimet që kanë. Ne kemi kërkuar të hiqet embargoja e armëve dhe të na jepet ndihmë ushtarake. Ne mund të bëjmë shumë, dhe mund të arrijmë shumë, në se na jepet ndihma e duhur nga NATO.
Illyria: Ku janë përqëndruar më shumë operacionet luftarake të UÇK-së?
Z. Dino Asanaj: Operacionet luftarake të UÇK-së janë të përqëndruara më shumë në zonën Operative të Llapit, të Shalës, të Drenicës, të Dukagjinit dhe të Nerodimës. Atje janë zhvilluar luftime të rrepta, në të cilat armiku, në pamundësi për të thyer njësitet e UÇK-së, ka përdorur edhe gazëra helmues e armë kimike. Ushtarët e UÇK-së po luftojnë me një heroizëm të paparë në mbrojtje të territoreve të çliruara dhe të popullatës, e cila gjendet ende atje.
Illyria: Si është bashkëpunimi i UÇK-së me NATO-n?
Z. Dino Asanaj: UÇK-ja ka qënë dhe është e gatshme që të bashkëpunojë me NATO-n dhe strukturat e saj. Qeveria e Përkohshme dhe UÇK-ja gjithnjë kanë deklaruar se bashkëpunimi me NATO-n jo vetëm qe është i mundshëm por është edhe i dëshëruar.
Illyria: Në lëvizjet politike të NATOs, a shihni të mundur një rol më të madh të UÇK-së? A mund t'i ngarkohen asaj detyra më të mëdha, të ripajiset ajo dhe të ketë sukses?
Z. Dino Asanaj: Pa dyshim. UÇK-ja, si forca e vetme në terren mbetet një element me shumë peshë në çfarëdo iniciative ushtarake që ndërmerr NATO. Nuk ka dyshim se UÇK-ja ështe e gatshme të marrë detyra edhe më të mëdha në të ardhmen. Po të na jepen armët që ne këmi aq shumë kohë që i kemi kërkuar, kemi besim të plotë se UÇK-ja do të vazhdojë të jetë ajo forcë e rëndësishme ushtarake, e cila do të mund të japë kontributin vendimtar në çlirimin e Kosovës nga thundra serbe.
Illyria, 4 maj 1999